Lugina mundë jetë një "Japoni e Vogël", sfidë për shoqërinë (foto&video)
Studentë, trajner dhe simpatizues të arteve marciale morën pjesë në seminarin e karatesë që është mbajtur në qendrën sportive "Rinia" në Bujanoc, i cili kishte të bëjë me teknikat bazë dhe principet e mekanikës së trupit në realizimin e teknikës së karatesë së kombinuar me shkathtësitë e vetëmbrojtjes gjithashtu edhe ushtrimin e një kate mjeshtërore.Ky seminar njëditorë me pjesëmarrës nga klube të ndryshme në Bujanoc, Preshevë e Kosovë është udhëhequr nga Bejar Fazliu, mjeshtër i karatesë 6 DAN që aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fazliu ka trajnuar student të shumtë në rajonin e Luginës ku disa prej tyre tani më përcjellin mësimet e tij tek gjeneratat e reja dhe është shprehur i disponuar që gjendet në vendlindje për të parë zhvillimin e këtij sporti.
Bejar Fazliu gjatë një interviste dhënë portalit informativ Titulli thotë se numri i pjesëmarrësve në seminar nuk pengon qëllimin e tij për t’i transmetuar njohurit dhe përvojën tek studentët.
“Mundësia për të mësuar karatenë në ditët e sotme është me e madhe se në kohën kur unë kam mësuar, sepse nëpër internet gjenden kate, teknika që demonstrojnë karatenë”, deklaroi Fazliu.
Ai thotë se ka plane për të formuar një akademi të karatesë në Luginë, e cila do të jetë në funksion të fëmijëve të kësaj treve pa dallim të përkatësisë fetare dhe nacionale.
“Ky projekt do të jetë një e mirë që rinisë t’i jepet një mundësi për të formuar një karakter të fortë e të disiplinuar, të edukohet e të jetë një qytetarë më i mirë dhe mbështetës i rrethit ku jeton”, deklaroi ai.
Fazliu është shprehur i bindur se do të fillojë të punojë që akademia e karatesë të hapet në një lokacion mes Bujanocit e Preshevës që sipas tij do të jetë një “Japoni e Vogël” në Luginë.
Gjatë intervistës Bejar Fazliu, flet për rëndësinë e karatesë në formimin e karakterit personal, planet e tij në të ardhmen, avancimin e këtij sporti në Luginë, akademinë që mundë të jetë një qendër ballkanike për trajnim dhe sfidat që e presin shoqërinë tonë.
Seminari është organizuar nga klubi i karatesë “Bushido” nga Tërnoci që udhëhiqet nga trajneri Qemal Hiseni.
Ai tha se ky seminar ka e efektet e veta pozitive që shumica e teknikave që demonstrohen, mësohen nëpër seminare të këtilla.
Në komunat Bujanoc e Preshevë funksionojnë klube të ndryshme shqiptare të karatesë që trajnojnë grup mosha të ndryshme e që disa prej tyre po tregojnë edhe rezultate në kampionate rajonale, e kombëtare./Titulli.com/